Athina po “zien”: Kapiteni i AEK-ut tek Olimpiakosi!

Kapiteni i AEK-ut, Lazaros Kristodhulopulos, ka bërë një transferim që ka shokuar opnionin publik sportiv grek. Vetëm pak ditë mbas përfundimit të kampionatit kombëtar të Greqisë, ai nënshkroi një kontratë dyvjeçare me Olimpiakosin qëështë klubi rival më i madh i AEK-ut. Në fakt, Kristodhulopulosi vjen te klubi grek me më shumë trofe (Olimpiakosi) si lojtar i lirë mbas përfundimit të kontratës me AEK-un. Duke bërë këtë transferim të papritur, ai hyri në historinë e futbollit grek si i vetmi lojtar grek që ka luajtur me të gjithë katër klubet më të mëdhenj të këtij vendi ballkanik.

Ky pjesëtar i përfaqësueses greke e ka nisur karrierën te PAOK-u, nga ku kaloi te Panathinaikosi. Mbas një aventure ndërkombëtare në Itali, ku luajti me Bolonjën, Veronën dhe Sampdorian, Kristodhulopulosi u kthye në Greqi, ku nënshkroi marrëveshje me AEK-un. Duke kaluar tek Olimpiakosi, ky  futbollist 31-vjeçar bëri atë që nuk e kishte asnjë lojtar para tij.

Në kampionatin e sapopërfunduar grek, Lazaros Kristodhulopulosi luajti 27 ndeshje dhe shënoi shtatë gola, ndërsa ishte një nga lojtarët më të merituar që AEK-u fitoi titullin.

Sfidanti.al