Atalanta dhe Gjimshiti nuk mendojnë (ende) për Realin, e provoi Napoli!

E mërkura nuk është shumë larg sidomos kur bëhet fjalë për një ndeshje të një niveli kaq të lartë si ajo në Champions ndaj ekipit 13 herë kampion të Europës. Gjithsesi, Atalanta e trajnerit Gasperini arriti t’i ndante punët, dhe t’i merrte gjërat me radhë. Së pari duhej luajtur ndaj Napolit, një ekipi që kishte mundur Juventusin pra që ishte rival shumë i fortë, por që në stadiumin e Bergamos nuk pati asnjë shans.

U përsërit historia e Kupës së Italisë, këtë herë me fitore 4-2 në krahasim me rezultatin 3-1 që solli kualifikimin për në finale, edhe pse nuk qe e lehtë. Pjesa e parë pati dominim “steril” të Atalantës, madje pati edhe karton të kuq për Gasperinin, por pas pushimit gjithçka ndryshoi. Zapata, Gosens, Muriel dhe Romero ishin autorët e golave, ndërsa Berat Gjimshiti bëri detyrën e tij si përherë.

“Arbitrimi ishte skandaloz, – protestoi trajneri bergamask pas ndeshjes, – për ne duhej dhënë një penallti që ishte aq e madhe sa një shtëpi. Ishte një fitore e madhe, arritur në kushte të vështira dhe kjo na jep më shumë shtysë për Realin. Rrezikuam shumë, por na doli mirë. Ishte si një kurth, por për fat krijuam shumë raste dhe prandaj shënuam shumë gola”.

Përballë ishte Napoli i Gatuzos ku Kulibali nuk ia doli të luante, dhe çifti në qendër të mbrojtjes ishte Rrahmani-Maksimoviç, por që nuk përballoi dot furtunën vendase. Atalanta u ngjit në kuotën e 43 pikëve, për momentin në vendin e 4-ët në Serinë A, pra në zonën Champions, ndërsa Napoli mbeti me 40 pikë.

Sfidanti.al