Analistët: Mançester Siti mund të fitojë gjithçka këtë vit!

Ishin disa opinionistë që u shprehën pasi skuadra e Pep Guardiolës arriti fitoren e radhës, një sukses mbresëlënës në fushën e Evertonit për Premier Ligën me shifrat 3-1. Majkëll Ouen dhe ish-mbrojtësi i shquar i Arsenalit, Li Dikson, ishin mes atyre që e lavdëruan pa masë ekipin e “qytetarëve” që është shkëputur tani 10 pikë nga Mançester Junajtidi dhe Leisteri. “Siti mund të fitojë të katër trofetë këtë sezon, – thanë ata, – Premier Ligën, Championsin, Kupën e Anglisë dhe Kupën e Ligës”.

Fil Foden kaloi miqtë në epërsi në 32’, por Risharlison barazoi në 37’. Gjithsesi, pas pushimit Siti nuk u përballua dot nga vendasit që shënuan me Rijad Mahrezin në 63’ dhe Bernardo Silvën në 77’. Siti ka 56 pikë ndaj 46 të Junajtidit dhe Leisterit, por trajneri Pep Guardiola nuk deshi të nxitohej. “Janë edhe 42 pikë në lojë, – tha ai, – për fat, lojtarët tanë nuk po mendojnë për tabelën, kemi folur për këtë. Le të pushojmë për pak ditë, sepse më pas do të ketë shumë ndeshje të tjera”. Gjithsesi, kolegu i tij Karlo Ançeloti i Evertonit pohoi se “Siti po shkon drejt titullit, për momentin është e pamundur të konkurrosh me ta, kanë talent, forcë dhe besim”.

Sfidanti.al