Alvaro Morata shpëtoi Atletikon nga “lufta civile” në Madrid

Stadiumi “Uanda Metropolitano” nuk ishte aspak i qetë, i kënaqur jo se jo. Në pjesën e dytë të duelit të Championsit, mes Atletikos vendase dhe Leverkusenit, gati një e katërta e tifozëve nisën të vërshëllenin trajnerin Diego Pablo Simeone dhe Koken, njërin nga lojtarët më të rëndësishëm, aq sa po ndihej si atmosferë e një “lufte civile”. Për fat, Simeone bëri një zëvendësim që doli i goditur. Alvaro Morata hyri në lojë në minutën e 71-të, në vend pikërisht të Kokes, dhe pa kaluar mirë 7 minuta, realizoi.

Ishte goli i fitores, shënuar nga një sulmues i mirë, por që nuk kishte mundur të lëshonte rrënjë as tek Reali, tek Juventusi apo Çelsi, ndërsa Simeone shpreson që të gjejë veten tek Atletiko. Një sukses tepër i vështirë, por logjikshëm ndaj një ekipit të fortë si Leverkuseni gjerman. Habia është e madhe se përse vuan kaq shumë Atletiko, që ka në fushë lojtarë si Oblak, Tripier, Gimenes, Felipe, Tomas, Saul, Koke, Morata, Korrea, Lemar apo Diego Kosta. Natyrisht, largimi i disa lojtarëve tepër të rëndësishëm si Hernandes, Rodri apo Grizman ka prishur shumë ekulibra.

Sfidanti.al