A fitojnë adoleshentët 7-0 në Champions, siç bëri Siti?!

Pep Guardiola nuk humb rastin në përpjekje për t’i hequr presionin lojtarëve të tij, dhe kështu bëri edhe para ndeshjes së kthimit ndaj Shalkes në Ligën e Kampionëve. “Ne jemi ende adoleshentë në këtë kompeticion, – ishin fjalët e tij, – janë skuadra të tjera ato që mund të flasin me siguri për trofeun”.

Sidoqoftë, Mançester Siti dha një tjetër provë se ose e ka kaluar adoleshencën, ose që është tepër i pjekur për moshën që ka. Fitorja 7-0 ndaj Shalkes në “Etihad” ishte madhështore, qoftë edhe përballë një ekipi që po e mund kushdo në Gjermani. “Deili Meil” bëri shaka me fjalët e Guardiolës duke komentuar se “ky është problemi me adoleshentët, ata nuk bëjnë asnjëherë atë që u thua”, pra e nxorrën trajnerin e tyre të gabuar në parashikim.

Golat u shënuan nga Kun Aguero në 35’ me penallti, sërish Aguero në 38’, Leroi Sane në 42’, Rahim Stërling në 56’, Bernardo Silva në 71’, Fil Foden në 78’ dhe Gabriel Zhezus në 84’.

Siti është në çerekfinale dhe një nga skuadrat favorite për të fituar trofeun, ndonëse historia i njeh vetëm një gjysmëfinale në 2016, humbur ndaj Realit të Madridit. Ndër vite, “qytetarët” janë mundur dy herë nga Barcelona, si dhe nga Monako apo vjet nga Livepuli. Me 26 rrjeta deri tani, anglezët janë më të mirët këtë sezon në Champions, si dhe skuadra më e mirë e Europës me 139 gola të shënuar në të gjitha garat.

Sfidanti.al