Elseid Hysaj, komentet pas rrjetës së parë, dhe golat “me pikatore”!

Shpresa vdes e fundit dhe ja ku erdhi momenti. Elseid Hysaj e shënoi më në fund golin e tij të parë në Serinë A, atë në sfidën e Napolit ndaj Sasuolos. Diçka shumë e veçantë për një lojtar që goditjen e portës nuk e ka pasur specialitetin e tij, ndërsa ndihmoi në fitoren 2-0 që jep shpresë për kualifikim në Ligën e Europës. Mbrojtësi i Napolit iu bashkua shqiptarëve të tjerë që kanë realizuar në elitën e futbollit italian, Riza Lushta, Naim Kryeziu, Erion Bogdani, Igli Tare, Lorik Cana, Berat Gjimshiti, Ledian Memushaj, Migjen Basha, Rei Manaj apo Marash Kumbulla.

“Jam i lumtur për këtë gol të parë, – u shpreh numri 4, – është edhe më bukur sepse e shënova për Napolin. Më vjen keq që nuk ishin tifozët në stadium, por gjithsesi më shijon shumë edhe kështu. Shpresoj që të shënoj edhe gola të tjerë. Ia dedikoj familjes sime, gruas dhe fëmijës sim. Shpresoj të kem edhe fëmijë të tjerë në të ardhmen”.

Mediat italiane e vlerësuan lart provën e kapitenit të kombëtares shqiptare, duke i vendosur nota shumë të mira. “La Gazeta delo Sport” i jep notën 7, duke qenë mbi mesataren e ekipit të tij, e duke theksuar se Hysaj luajti me vendosmëri, ritëm të lartë, dhe qartësi taktike, duke qenë një nga liderët e Napolit. Mbrojtësi i djathtë është rekordmen pasi ishte i vetmi lojtar i sotëm i Serisë A që nuk kishte shënuar gol, ndonëse kishte luajtur 188 ndeshje, siç informon agjencia e specializuar e statistikave Opta.

Gjithsesi, goli mbetet diçka e rrallë për 26-vjeçarin shkodran. Në Itali kishte arritur të shënonte dikur në Serinë B, kur luante për Empolin, në një ndeshje të vitit 2014, humbur 1-2 në fushën e Virtus Lançianos. Në Serinë A, ndërkaq, ishte hidhëruar duke shkaktuar autogol në sezonin 2016-2017, në fitore 2-1 të Napolit ndaj Sampdorias, ndonëse kontributi ka qenë shumë më i madh se gabimet, duke qenë i pranishëm sidomos në lojën në mbrojtje, por edhe në atë në sulm, duke asistuar shokët e skuadrës në shënimin e golave. Me kombëtaren shqiptare gjithashtu ka qenë i kursyer, duke realizuar vetëm një gol në 53 ndeshje të luajtura, pikërisht në fitoren 4-2 ndaj Islandës në “Elbasan Arena” vitin e kaluar.

Sfidanti.al