Yjet e NBA-së të palumtur, lavdia dhe paratë nuk mjaftokan?!

Dikush mund të thotë se këta multimilionerë kanë nevojë për një “dru pas qafe”, dhe do të kishte të drejtë sipas mënyrës së tij. Në një botë ku ka njerëz që vjedhin për të jetuar, që mashtrojnë për të siguruar ekzistencën, që durojnë fyerjen dhe mizerjen, u dashkan lexuar edhe lajme për palumturinë e pasanikëve të mëdhenj.

Ja pra, që kështu qenka, dhe këta pasanikë qenkan yjet e ligës më të madhe të basketbollit në botë, dhe njërës prej dy ligave më të kamura në botë, NBA-së amerikane. Shqetësimin për cilësinë e keqe të jetës së tyre e shprehu vetë drejtuesi i lartë i NBA-së, komisioneri Adam Silver, në një tryezë diskutimi në Boston.

“Të izoluar”, “xhelozë”, “tërësisht të palumtur” ishin cilësimet që përdori Silveri për personalitete dhe legjenda si Lebron Xhejms, Kevin Durant, Entoni Dejvis apo Kajri Irving, të cilët marrin rroga te mesatarja 30 milionë dollarë në sezon. Çfarë po ndodh, dhe ç’është ky realitet që duket sikur përthyen vetë ligjet e realitetit?

Përgjigja është e thjeshtë, dhe e thotë edhe Adam Silveri, ajo që “paraja dhe lavdia jo gjithnjë mjaftojnë për të qenë të lumtur”. Nëse do të lexohen mjeshtrat e psikologjisë si Frojdi apo Fromi (për të mos shkuar deri tek Marksi), lumturia nuk mund të jetë e tillë, kur e synon si individ, por vetëm në shoqëri. Në një shoqëri me “bërryla” dhe me hile, nuk mund të jesh i lumtur.

Yjet e NBA-së ndihen keq sepse në skuadrat e tyre duket se ka vdekur shpirti kolektiv, secili mendon për rrogën e tij, për të gjetur ekipin ku të fitojë më shumë. Po ashtu, “pushteti i pestë”, media, shpesh e përdor keq fuqinë e saj, dhe kritikat, talljet, analizat “me spec” e me “piper”, që bëhen vetëm për marketing, nuk marrin parasysh se lojtarët dhe trajnerët janë njerëz prej mishi e gjaku. Së fundi, rrjetet sociale, një mrekulli e botës bashkëkohore, mund të kthehen në një vorbull mbytëse nëse të bëjnë “qolen” e ditës.

Sfidanti.al