Vazhdon spektakli rrugaç në boks, e bëjnë sepse ka audiencë!

Një tjetër shfaqje e shëmtuar u dha nga boksi profesionist në prag të një ndeshjeje. Derek Çisora hodhi një mobilje mbi kokën e rivalit të tij të së shtunës, Dilian Uajt, ndërsa të dy ishin në konferencën e zakonshme për shtyp. Dueli do të jetë për titullin kampion britanik në peshat e rënda, dhe gjendja siç ndodh rëndom, degjeneroi nga të sharat “pa doganë” që dy boksierët i lëshuan njëri-tjetrit. Si në një film të parë kushedi sa herë (dhe ku fiton gjithnjë kali i bardhë, domethënë rrugaçëria), Bordi i boksit britanik për kontrollin (tip Komisioni Disipline) do të mblidhet për të gjykuar sjelljen e Çisorës dhe për të marrë një vendim. Në tryezë, në momentin kur u lëshua mobilja, ndodheshin edhe promotori Edi Hërn dhe shefi i departamentit të boksit për televizionin “Skaj Sports”, Adam Smith, të cilët u shpëtuan nga trajneri i Uajtit, Mark Tibs.
Çfarëdo që të vendosë Bordi i kontrollit të boksit britanik, të gjithë e dinë se rrugaçëria do të vazhdojë nëpër konferencat e shtypit. Po, si ka mundësi që një vend i qytetëruar si Britania e Madhe, ndër më të zhvilluarit në botë, lejon të tillë “shembuj për fëmijët dhe të rinjtë”? Shpjegimi është vetëm një: Ende ato kanë audiencë, ende një pjesë e madhe e njerëzve që pëlqejnë sportin, vazhdojnë t’i ndjekin, të qeshin e të bëjnë thashetheme me to. Ndryshe, nëse audienca do të ishte e vogël, Çisora dhe të tjerët do të ziheshin me njëri-tjetrin, por askujt nuk do t’i shkonte ndër mend t’u jepte qoftë edhe pak kohë televizive.