Toronto thyen rekordin e klubit me fitoren ndaj Dallasit!

Kur nuk ke në fushë Luka Donçiçin, kuptohet që është më e vështirë, por gjithsesi justifikimet nuk bëjnë punë. Dallas Maveriks pësoi një humbje të rëndë dhe të papritur (për mënyrën sesi shkoi ndeshja) në fushën e Torontos, me shifrat 107-110. Pranë fundit të periodës së tretë, miqtë patën avantazh prej 30 pikësh, 85-55 dhe thuajse të 20 000 spektatorët ën Arenën e Torontos mendonin humbjen. Nuk qe e thënë, ndërsa pjesa e katërt ishte historike. Kajl Louri shënoi 31 pikë gjithsej, 20 prej të cilave në këtë periodë, kur Dallasi arriti vetëm 21 pikë.

Kjo ishte përmbysja më e madhe në historinë e klubit, dhe një nga më të mëdhatë e të gjitha kohëve në NBA. Kjo ishte edhe fitorja e pestë radhazi e kampionëve në fuqi të basketbollit amerikan. Dallasi u udhëhoq nga Xhejlën Branson me 21 pikë e 9 asistë, si dhe nga Kristaps Porzingis me 19 pikë e 12 topa në tabela. Ishte një mbrëmje interesante në NBA, ku Miluoki thelloi epërsinë ndaj rivalëve me fitoren ndaj Indianës dhe tani ka 27 fitore e 4 humbje. Dy skuadrat e Los Anxhelosit humbën, Lejkërsat ndaj Denverit dhe Klipersat kundër Oklahomës.

Sfidanti.al