Tjetër tragjedi në boks; vdes në ring 23 vjecari Santijan

Bota e boksit tronditet nga një tjetër tragjedi dhe kjo ndodh vetëm 3 ditë pas ndarjes nga jeta të rusit Maksim Dadashev në moshën 28 vjecare. Ai që gjeti vdekjen në ring ishte 23 vjecari argjentinas Hugo Alfredo Santijan për shkak të dëmtimeve në kokë të pësuara pas një ndeshjeje për peshat super të lehta me uruguajanin Eduardo Havier Abreu të zhvilluar të shtunën në Buenos Aires.

Santijan në momentin që po bëhej i ditur emri i fituesit të sfidës u shemb në tokë për t’u dërguar menjëherë në spital ku u pa që nuk kishte shpresa për të që në pamje të parë. Ai ra në koma për të mos u zgjuar më kurrë.
Santijan që njihej edhe me pseudonimin ‘Dinamiti’ ishte boksier profesionist që nga viti 2015. Në karrierën e tij ai ksihte zhvilluar 27 ndeshje me një bilanc me 19 fitore 6 humbje, 2 barazime. Para 3 ditësh, Dadashev humbi jetën pas goditjeve të marra gjatë sfidës me Subriel Matias për peshat super të lehta në kategorinë IBF të zhvilluar në Oxon Hill në Merilend.

sfidanti.al