Tim Dankën, stërnipi i skllevërve që u bë legjendë e NBA-së!

Paraardhësit e tij janë nga Ishujt Virxhinia. Zezakë, natyrisht, ashtu siç është edhe Tim Dankën, ndonëse i përzier dhe me fat krejt tjetër. Në ishujt pranë Gjirit të Meksikës jetonin dhe punonin skllevërit, ndërsa padronët ndryshonin emrat dhe racat. Spanjollë, anglezë, holandezë, danezë. Më në fund erdhën amerikanët. Timoti Teodor Dankën lindi pikërisht atje, një territor që mbetet i SHBA-së, dhe pasi flirtoi me sportin e notit, kaloi tek basketbolli. Një ndryshim fatlum për të dhe për një nga lojrat me popullore të botës. Sot, disa muaj pasi ai e mbylli karrierën në moshën 40-vjeçare, San Antonio Spërs vendosi të tërhiqte fanelën e famshme me numer 21, për ta bërë legjendare. Askush nuk do ta veshë më atë, mbetet përfundimisht e Dankënit.
Lojtari elegant qendër, 2.11 metra shtatlartë dhe tepër i talentuar, fitoi 5 tituj në NBA, dhe u bë i vetmi që në 13 vitet e para të karrierës u përzgjodh radhazi në Ndeshjen e Yjeve për Konferencën e Perëndimit. Në ceremoninë e tërheqjes së fanelës ishin ish-shokët e ekipit Toni Parker dhe Manu Xhinobili, paradoksalisht jo amerikanë, të cilët fituan 4 tituj me Dankënin. Ishte dhe trajneri Greg Popoviç, që fitoi 5. Ishin edhe vajza dhe djali i Timin si dhe e dashura e tij, Vanesa. Emocionet ishin të mëdha, ndërsa San Antonio e nderoi ish-kapitenin duke e fituar ndeshjen e radhës dhe duke qenë një nga dy ekipet më të mirë të sezonit në NBA.

Sfidanti.al