Tërheqja e tretë e Mekgregorit nga sporti, kur do të kthehet?!

Lajmi, që normalisht mund të quhet “bombë”, u dha padyshim me shkronja të mëdha dhe si titull kryesor mediatik, por edhe me një nënvizim në kllapa. “Konor Mekgregor lajmëron largimin e tij tronditës nga sporti në moshën 31-vjeçare pasi fitoi 200 milionë USD gjatë karrierës së tij kontroverse (por, ylli i UFC-së ishte tërhequr edhe dy herë më parë, vetëm për t’u kthyer përsëri)”. Ky ishte një nga titujt për vendimin e bërë publik nga luftëtari irlandez i Arteve të Përziera Marciale (MMA në anglisht).

Mendohej krejt tjetër gjë, pra që Mekgregori të sfidonte Anderson Silvën në UFC, ose të përplasej me Getjen, që fitoi ndaj Toni Fergusonit, si dhe të realizonte duelin më të madh, një revansh ndaj Habib Nurmagomedovit, pas humbjes së pësuar kohë më parë. Në 4 vjet, ky është largimi i tretë i irlandezit nga ringu, gjë që e bëri me fjalët: “Hej djem, kam vendosur të tërhiqem nga luftimi, ju falenderoj për kujtimet e shkëlqyera, ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm …”. Mekgregori është i vetmi në historinë e UFC-së që mbajti dy breza kampioni në kategori të ndryshme peshe.

Sfidanti.al