Tajson krahason veten me Mejuedhërin në ring dhe … në rrugë!

E ka të qartë diferencën për mirë dhe për keq. Majk Tajson është sot e prej kohësh në epokën e reflektimit, dhe ish-kampioni absolut i peshave të rënda në boksin profesionist, mund të nxjerrë disa konkluzione. Një prej tyre lidhur me një duel të pamundur, atë Majk Tajson-Flojd Mejuedhër, diçka që nuk mund të ndodhë për shumë arsye.

I mbiquajturi “djali i keq i boksit” (edhe pse jo i vetmi), Tajsoni thekson se nëse ai dhe Mejkuedhëri do të ndesheshin në rrugë, nuk do të kishte aspak konkurrim, sepse ai do të fitonte me lehtësi. Jo më kot, “Majku i Hekurt” ka qenë djalë rruge. Ndryshe do të ishte puna nëse ndeshja do të zhvillohej në ring. “Nëse ne do të ishim të së njëjtës peshë, unë do të fitoja në rrugë, por do të humbisja me pikë në ring”, – theksoi Tajsoni, duke vlerësuar nivelin e lartë teknik të amerikanit tjetër, që nuk ka humbur asnjë ndeshje.

Tajsoni nuk e kursen Mejuedhërin në diçka tjetër, pikërisht në pretendimin e tij si boksieri më i madh i të gjitha kohëve. “Dëgjo, nëse ai do të ishte sado pak pranë nivelit të Muhamed Aliut, ai do të ishte në gjendje t’i dërgonte në shkollë vetë fëmijët e tij, – u shpreh Majku, – pra, nuk i dërgon dot fëmijët në shkollë, dhe flet se është më i madhi?”

Sfidanti.al