Tajson Fjuri, lavdia dhe vdekja ishin shumë afër për yllin e boksit

Në vitin 2015 ai shkaktoi një të papritur të madhe duke mundur kampionin legjendar Vladimir Kliçko. Tajson Fjuri u bë sensacion i peshave të rënda në boksin profesionist, fitoi lavdi, padyshim edhe para, veçse për pak kohë thuajse i erdhi fundi. Boksieri britanik kaloi në depresion, e la sportin dhe shtoi peshë në mënyrë të konsiderueshme, iu dorëzua drogës, duke arritur të mendojë edhe për vetëvrasje. Në këtë situatë pa shpëtim, fati e Fjurit e desh që pranë tij të ndodhej boksieri tjetër, Billi Xho Sonders (Saunders), dhe ata të dy biseduan për 2 javë në Marbeja të Spanjës në 2016.

“Në fillim, Fjuri nuk donte të vinte në Marbejë, – tregon Sondersi, – e takova dhe ai arriti deri aty sa të fliste për vetëvrasje. Nuk arrita ta bind as me lavdinë e boksit, as me pasurinë, por vetëm kur i përmenda fëmijët”. Sondersi i tha anglezit se, nëse ai vriste veten, kush do të kujdesej për fëmijët e tij. Për fat, ai ktheu për mbarë, dhe sot është ende pranë kulmit të karrierës së tij.

Sfidanti.al