Strategjia e Klivlendit, “pleqtë” e fitojnë më lehtë titullin!

Nuk është se ka formula të sakta për mënyrën sesi fitohet një titull, dhe Klivlend Kavalers nuk është se po shqetësohet shumë për të gjetur të tilla. Sezonin e kaluar, u shpall kampion ndërsa ishte në buzë të greminës në finalet e mëdha të NBA-së ndaj Golden Stejtit, ndërsa ky edicion duket me më pak stres. Përveç fitoreve në fushë (bilanci është 28 fitore, 8 humbje), ra në sy lëvizja e klubit për të përforcuar skuadrën, tani në janar. Nga Atlanta Hoks erdhi Kajl Korver, një lojtar anësor që ka një saktësi të jashtëzakonshme në gjuajtjet për 3 pikë.

Një spjegim për këtë lëvizje e dha menaxheri i përgjithshëm i Klivlendit, Dejvid Grifin. “Ne nuk duam të ndërtojmë një skuadër që të synojë të fitojë 70 ndeshje në sezonin e rregullt, – tha ai, – ne duam një skuadër që të luftojë në plej of. Do të  bëjmë çmos që të jemi më të freskët dhe më të fortë se gjithë të tjerët në plej of”. Ndoshta kjo nuk është shumë e ndershme sidomos në raport me rekordin e vjetshëm të Golden Stejtit, me 73 fitore e vetëm 9 humbje sezonin e kaluar, ndërsa Uorriors ishin shumë afër titullit.

Klivlendi, gjithsesi, ka një strategji të vetën, që mund të quhet “strategjia e pleqve”. Kavaliers ka skuadrën e tretë më të vjetër në kampionat, me moshë mesatare 29 vjeç. Vetëm Los Anxhelos Klipers dhe San Antonio Spërs kanë moshë më të vjetër mesatare, ndonëse në formacion ka lojtarë relativisht të rinj si Kajri Irving (24 vjeç), Tristan Tompson (25) e Kevin Lov (28). Vetë Lebron është 31, Xheferson është më shumë se 36, ashtu si Xhons, ndërsa Fraj është 33. Kajri Kover mbush 36 në mars, por Lebron nuk shqetësohet. “Ata janë lojtarë që dinë të shënojnë kosha, veteranët e dinë mirë se çfarë duhet të bëjnë”, – thotë ai.

Sfidanti.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *