Spektakli i NBA-së para Ndeshjes së Yjeve mrekullon Amerikën!

Tri spektakle të ndryshëm nga njëri-tjetri u zhvilluan në NBA. Basketbolli amerikan ofroi menynë e zakonshme përpara Ndeshjes së Yjeve. Erik Gordon fitoi konkurrimin për koshat tripikësh. Basketbollisti i Hjustonit pati nevojë për tri raunde, në vend të dy që zhvillohen normalisht për të qenë më i miri. Edhe pse ai la prapa Kemba Uolkerin e Sharlotës, rivaliteti nga Kajri Irving ishte shumë i fortë. Në raundin shtesë, Gordon arriti në 21 pikë ndaj 18 të lojtarit të kampiones Klivlend duke marrë trofeun.

Një tjetër garë u zhvillua për zhytjet në kosh, ashtu si përherë. Më i miri në 2017 u bë Glen Robinson i Indianës. Fituesi luftoi fort me Xhons Xhuniorin dhe Derrik Xhons Xhuniorin, dhe ishte ky i fundit që e konkurroi deri në fund. Rezultati final ishte 94-87 për Robinsonin, ndërsa fituesi i dy viteve të fundit, Zak Lavin, nuk mori dot pjesë për shkak të dëmtimit.

Lavdi pati edhe për një basketbollist europian. Ky ishte letonezi Kristaps Porzingis që triumfoi në një luftë interesante, të quajtur “beteja e talentit”. Kjo betejë përfshinte driblime të pengesave, realizim nga afër koshit dhe gjuajtje për tri pikë, të gjitha në një kohë sa më të shkurtër. Porzingis njëkohësisht u bë edhe i vetmi nga shtatlartët që mori një trofe në spektaklin përpara Ndeshjes së Yjeve në NBA. Lojtari me gjatësi prej 2 metrash e 21 centimetrash kaloi radhazi Demarkus Kouzinsin, Nikola Jokiçin, dhe në finale u tregua më i fortë se Gordon Hajardi.