Sherri për Serenën, Voznjacki nuk ia fal komentet Xhon Mekinroit!

“Një teniste e madhe, por që do të ishte një e zakonshme tek meshkujt, ndoshta në vendin e 700-të në botë”. Këto ishin fjalët e Xhon Mekinroit për kampionen më të shkëlqyer të tanishme në tenisin e femrave, Serena Uilliams. Pasi vetë Serena, që është shtatzënë, u kufizua të përgjigjej se “ju lutem, më lini jashtë deklaratave tuaja që nuk kanë bazë”, në krah të amerikanes doli danezja me origjinë polake, Karolinë Voznjacki. Ish-numri 1 i botës (sot e katërta) tha shkurt se “çdo gjë matet në bazë të rezultateve dhe sot dy më të mëdhenjtë janë Rozher Federer dhe Serena, pra Uilliams mund të matet vetëm me zviceranin”.

Uilliams ka fituar 23 trofe Grand Slemi duke kaluar të madhen Stefi Graf, ndërsa komentet e Mekinroit nuk u pritën mirë, siç edhe ishte e natyrshme. Një maskilizëm i tillë nuk besohej se do të shprehej nga një legjendë e tenisit, që duhet ta dijë se çfarë është respekti. Vetë amerikani nuk ka dashur të tërhiqet nga fjalët e tij, ndonëse është shprehur se “nuk kam dashur ta lëndoj Serenën”.

Sfidanti.al