Rosbergu: Verstapeni? Hamilton do të jetë më i madhi i kohëve!

Ka një debat në Formula 1 lidhur me atë nëse Mark Verstapen mund të cilësohet pilot më i mirë sesa Ljuis Hamiltoni. Piloti holandez është vetëm 22 vjeç dhe ka 6 sezone në Botëror, ndërsa anglezi ishte në moshën e tij kur e nisi rrugën në garën kryesore të shpejtësisë, ku është 6 herë kampion i botës. Një gjykim në këtë debat e jep një njeri që e njeh mirë Hamiltonin, dhe ky është Niko Rosberg, ish-shoku (dhe rivali) i tij tek Mercedesi deri dy vjet më parë.

“Padyshim, Maksi është i vetmi pilot në Formula 1 sot, që ka një talent të ngjashëm me Hamiltonin, ka atë talent tepër të rrallë që e ka Ljuisi, diçka që ndodh një herë në gjeneratë, dhe nëse ai do të ketë makinën e duhur, padyshim që do ta rivalizojë denjësisht atë. Gjithsesi, nuk mund të thuhet se Maksi është pilot më i mirë se Ljuisi. Hamiltoni do të dalë sërish kampion bote dhe do të përfundojë karrierën si piloti më i madh në historinë e Formula 1, pra nuk mund ta themi që Verstapeni është më i mirë se ai. Unë shpresoj që Botërori të jetë dramatik, dhe që Red Bulli e Ferrari t’i afrohen nivelit të Mercedesit”. Rosbergu doli kampion i botës në 2016, duke qenë i vetmi që e ka ndalur Hamiltonin në 5 sezonet e fundit.

Sfidanti.al