Ronda Rouz “nokauton” të dashurin dhe fejohet!

Ish-kampionia e botës e arteve luftarake të përzuera (MMA) Ronda Rouz shpalli fejesën, ndërsa i zgjedhuri i saj është, gjithashtu, një “luftëtar” i MMA-së, Trejvis Braun, që, edhe ai, konkurron në peshën e rëndë. Ai tregon se ia kishte kërkuar dorën Rondës, ndërsa ata ndodheshin nën një katarakt në Zelandën e Re! “Ne do të martohemi, nuk e di se kur, por kjo do të ndodhë”, u tha mediumeve amerikanë Ronda që është 30 vjeçe dhe që është kampionia e parë e UFC-së, më 2012, kur, për herë të parë, u aplikuan edhe kategoritë femërore.

Kjo amerikane ka fituar medaljen e bronzit në xhudo në Olimpiadën Verore të Pekinit, më 2008. Në kategorinë e saj, ajo e ka mbrojtur gjashtë herë me radhë titullin e kampiones së botës, deri sa humbi me nokaut ndaj Holli Holmit në raundin e dytë. Pas kësaj humbjeje të rëndë, pasi nuk u ngjit në ring për një vit të tërë, ajo pësoi edhe një humbje tjetër, madje edhe më të rëndë, kur, më 30 dhjetor të vitit të kaluar, kampionia aktuale e botës, Amanda Nunjesh, e nxori atë nokaut brenda 48 sekondave! Ish-kampionia e botës nuk jep më intervista dhe u shmanget promovimeve, madje edhe atyre të detyrueshme.

Sfidanti.al