Roland Garros; mbretëresha e Parisit është Ashli Barti

Ashli Barti është mbretëresha e turneut të Roland Garros. Australiania triumfoi në këtë eveniment të rëndësishëm pasi mundi në finale 19 vjecaren ceke Marketa Vondrusova me rezultatin 2-0. Ashli Barti që në periudhën 2014-2016 u tërhoq për të tentuar një karrierë të re në sportin e kriketit, u rikthye sërish në fushat e tenisit dhe këtë vit ajo triumfoi në turneun e dytë Grand Slam, një fitore që i dha të drejtën që të bëhet edhe numri 2 në renditjen botërore për tenisin e femrave.

Përsa i përket finales me Vondrusovën, për Bartin mjaftuan 70 minuta lojë për të mbyllur të gjitha llogaritë e sfidës duke i fituar setet 6-1 dhe 6-3. Seti i parë ishte pa histori me australianen që e mbylli atë për 30 minuta. Edhe në setin e dytë ndeshja pati një drejtim me Bartin që dominoi kundërshtaren e saj duke e mbyllur setin 6-3 për të fituar edhe të gjithë turneun e Roland Garros për t’u bërë e para teniste australiane që nga viti 1973 që e arrin një sukses të tillë.

sfidanti.al