“Rolan Garos”, paradoksi i traditës në kohën e milionave

Rafael Nadal ia doli të kualifikohej në finalen e Grand Slemit të “Rolan Garosit” në Paris, veçse askush nuk do t’i harrojë ato shkulme të erës që ngritën pluhurin e dheut të kuq në fushën e lojës. Dy tenistët më të shquar të historisë, Nadali e Federeri, u desh të luanin në kushte të vështira, edhe pse kanë fituar secili mbi 100 milionë dollarë në karrierë, edhe pse turneu francez ka milionë euro vlerë.

Një çati, si ajo e Grand Slemeve të tjera do t’i kishte zgjidhur hallet, por organizatorët mbeten me traditën, më keq sesa shumë njerëz në futboll që nuk e duan ende teknologjinë. Në një moment, Federeri përplasi raketën në shenjë nervozizmi, ndërsa era u bë veçanërisht e fortë. Nadali, i rritur në Majorka ku erërat janë të fuqishme, po ashtu pohoi se “sot ndoshta ishte pak si tepër, ishte e vështirë të kontrolloje ndeshjen”.

Kulmi në “Rolan Garos” arriti në gjysmëfinalen tjetër, Gjokoviç-Tim, që u ndërpre dhe nuk u arrit të mbyllej për shkak të rrezikut të reshjeve të shiut. Vonesa pati kudo, dhe gjysmëfinalet e femrave u luajtën në një arenë dytësore, gjë që solli kritika të mëdha. Anglezja Johana Konta i cilësoi organizatorët francezë si “seksistë”, pra që nuk kanë respekt për femrat.

Sfidanti.al