Rinis NBA, Lebroni fitoi ndeshjen, por Hardeni ruajti rekordin

Ishte padyshim ndeshja më e pritur e mbrëmjes së NBA-së, pas pauzës së lidhur me duelin e yjeve. Los Anxhelos Lejkërs-Hjuston Rokits nuk i zhgënjeu tifozët me duelin e madh, Lebron Xhejms-Xhejms Harden. Skuadra vendase fitoi 111-106, duke ruajtur shanset për kualifikim në plej of, ndërsa rezultati i duelit të yjeve në fushë ishte thuajse i barabartë.

Lebroni shënoi 29 pikë, kapi 11 topa në tabela, vodhi një top e bllokoi një gjuajtje. Harden shënoi 30 pikë, kapi 5 topa në tabela, shërbeu 6 asistë dhe bllokoi dy gjuajtje, ndërsa luajti rreth 4 minuta më pak sesa rivali i tij i madh. Në fund, Xhejmsi fitoi ndeshjen, por “Mjekra” vazhdoi ta ruante serinë e tij drejt rekordit. Tashmë, Harden ka 32 ndeshje radhazi me të paktën 30 pikë të shënuara, duke qenë kjo seria e dytë më e gjatë në historinë e NBA-së, pas asaj legjendare të Uilt Çembërlenit me 65 ndeshje.

Sfidanti.al