Rikthimi i “bishës në xhungël”, Nurmagomedov mbron titullin në UFC!

E quajti veten “mbreti i xhunglës” pas fitores ndaj Konor Mekgregorit, dhe e mbrojti këtë epitet edhe në rikthimin që bëri pas dënimit. Habib Nurmagomedov, një dagestanas i Rusisë, triumfoi ndaj rivalit të radhës, Dastin Puarie, në një spektakël që u zhvillua në një Arenë të Abu Dabit. Kampioni i peshave të lehta tashmë ka 28 fitore dhe asnjë humbje, në karrierën e tij në oktagon. Në moshën 31-vjeçare është emri më i madh i Botërorit të UFC-së. Amerikani Puarie e përballoi ndeshjen për 3 raunde, duke arritur ta godiste disa herë rusin me grushtet e tij, por nuk mundi të përballonte specialitetin e kundërshtarit në mundje.

Plot 16 500 spektatorë në sallën e ishullit të Abu Dabit ishin me Nurmagomedovin, që është mysliman, dhe ka statusin e heroit në Lindjen e Mesme. Prej tij, shumë të rinj mbajnë në kokë një kokore të quajtur Papaha (Papakha), dhe sporti i tij është bërë popullor në vendet arabe.

Sfidanti.al