Rekordi i Federerit duhet të presë, Nadal nuk e sfidon dot Gjokoviçin në Melburn!

Pësoi një nga eleminimet më të bujshme dhe me një përmbysje që rrallë është parë në nivele të tilla. Rafael Nadal u mund në çerekfinale të Australian Openit edhe pse kryesoi 2-0 me sete ndaj grekut Cicipas. “Stefani i Madh” ia doli të kthente ndeshjen nga koka te këmbët duke fituar tre sete radhazi dhe rezultati ishte i tillë: 2-6, 3-6, 7-6, 6-4 e 7-5. E qartë që “mbretit spanjoll” i përfundoi karburanti në “metrat e fundit” të garës, e padyshim mund të ketë ndjerë problemet në shpinë, ndërsa në dy setet e parë ishte dominues. Kjo ishte ndeshja e dytë në karrierës që Nadali e humbet duke qenë në epërsi të dy seteve.

Numri 2 i botës nuk do të ketë mundësi pra të sfidojë Novak Gjokoviçin në Melburn, dhe të thyejë rekordin e Grand Slemeve që e mban bashkë me Rozher Federerin. Me gjasë, do ta bëjë në Paris, në “Rolan Garos”, ku ai është dominues i padiskutueshëm. Ndërkaq, në Australian Open janë përcaktuar dy gjysmëfinalet dhe Cicipas do të luajë ndaj rusit Danil Medvedev që mundi 3-0 me sete patriotin e tij Rublev. Në gjysmëfinalen tjetër, Novak Gjokoviç do të ndeshet me rusin Karacev, ndërsa tenistët nga vendi i madh (Rusia) po shkëlqejnë në kontinentin jugor.

Sfidanti.al