Rasëll Uestbruk, “Robin Hudi” i basketbollit amerikan!

Ai është një kryengritje ndaj status kuosë. Quhet Rasëll Uestbruk, ka një talent të jashtëzakonshëm, por duket se asnjëherë nuk është vlerësuar si një nga personalitetet e mëdhenj të NBA-së, si Kobi Brajant, Lebron Xhejms, Stefën Kërri apo Kevin Durant. Edhe pse është milioner për shkak se është basketbollist profesionist dhe luan në kampionatin më të fortë e më të pasur në botë, sërish Uestbruk ka diçka prej Robin Hudi. Jo se ai u merr pasurinë të pasurve dhe ua jep të varfërve, aspak! Ai nuk mund të mendojë për të varfërit, pasi kjo është rruga në të cilën është futur.
Gjithsesi, në krahasim me gjigandët e tjerë që synojnë “unazat” e NBA-së, Uestbruk duket si ndonjë kaçak, si dikush që po bën një revolucion për të ndryshuar botën. Ka një frymëzim dhe një energji të pafundme në veprimet e tij. Ylli i Oklahomës realizoi “tripëll dabëllin” e 50-të në karrierë duke bërë diçka që e kishte bërë vetëm Mexhik Xhonson në 1988, shënoi 26 pikë e shërbeu 22 asiste në ndeshjen ndaj Feniksit, një rekord për Oklahomën. Në listën e të gjitha kohëve për “tripëll dabëll”, pasi la pas Lebron Xhejmsin, Uestbruk po i afrohet Lerri Bërdit që mbërriti deri në 56 në vitet 80-të me Boston Sëlltiks. Ai mbetet me një mesatare “tripëll dabëlli” në sezon, dhe jep shpresë që të bëhet i dyti në historinë e NBA-së që t’ia dalë pas Oskar Robertsonit në 1962.