Protokolli i Formula 1; Botërori nuk ndalet në rast pozitiviteti

Botërori i Formula 1 është gati që të rinisë dhe mund të jetë eventi i parë i rëndësishëm sportiv që rikthehet aktiviteteve pas pezullimit për shkak të pandemisë coronavirus . Por në rast se në ambientet e tij do të ketë ndonjë rast pozitiv, kampionati këtë radhë nuk do të ndalet dhe ai që e shpjegon këtë është Gerard Saillant, kreu i Komisionit Mjekësor të FIA

‘Nëse do të ketë rast të ri pozitiv me Covid-19 në botëorin e F1, kampionati nuk duhet të ndërpritet; është si të thuash, të mbyllim metronë sepse një pasagjer rezultoi pozitiv-tha Saillant në një intervistë për ‘L’Equipe’ ku prezantoi edhe protokollin mjekësor për startin e sezonit që pritet të ndodhë në 5 korrik me Cmimin e Madh të Austrisë.

‘Situata ka ndryshuar në krahasim me muajin mars në Australi-vijoi Saillant duke iu referuar garës së parë sezonale që u anulua për shkak të pandemisë-kemi një pajisje për teste të shpejta për të konfirmuar diagnozën, jemi në gjendje që të izolojmë dhe të testojmë personat që kanë qenë në kontakt me një rast pozitiv’.

Ideja e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit është të krijojë një paddock një lloj ‘fluskë sanitare’ të izoluar nga pjesa tjetër e botës. Besohet tek testet e shpejta për gjetjen e rasteve pozitive dhe një aplikacion që të jetë në gjendje të gjurmojë kontaktet që kanë ndodhur brenda paddockut. Regjistrimi në aplikacion do të jetë vullnetar dhe zyra ligjore e FIA po punon për tutelimin e privatësisë.

Po kështu janë parashikuar kryerjet e testeve të pështymës dhe respektimi i normave sanitare të cdi vendi.

‘Nëse një pistë është në zonë rurale, gjërat janë ndryshe nga ajo që është në qytet-tha Saillant duke pranuar se për momentin diferenca kryesore është mes garave të Evropës dhe atyre të Azisë-Singapori apo Vietnami do të kishin një organizim mjekësor krejt ndryshe. Sot qeveria e Singaporit do të detyronte të gjithë paddockun të hynte në karantinë prej 2 javësh përpara se skuadrat të zbresin në pistë’.

Sfidanti.al