Polemika në Formula 1; Vershtapen akuzon Ferrarin për mashtrim, italianët përgjigjen

Ndërsa Ljuis Hamilton festonte titullin e tij të 6 botëror, në paddockun e Austin shpërtheu cështja Vershtapen me pilotin e Red Bull që sulmoi Ferrarin gjatë një interviste për një televizion holandez.

‘Paraqitja zhgënjyese e Ferrarit në Teksas? Kjo ndodh kur nuk mashtron më-tha Vershtapen-tani u ekzaminuan me kujdes disa aspekte, por ne duhet të vazhdojmë të monitorojmë situatën’.

Vershtapen në intervistën e tij iu referua direktivës teknike të FIA që iu dërgua skuadrave  përpara provave kualifikuese që sqaroi një zonë gri të rregullores në lidhje me fluksin e karburantit. Akuza e Vershtapen që është bërë edhe më parë nga Red Bull gjatë sezonit është se Ferrari e shfrytëzoi mjaft mirë këtë hapësirë në rregullore për të përmirësuar njësinë e fuqisë  e për të siguruar avantazhin në kualifikuese duke siguruar 6 pole position radhazi që pas pushimeve verore, një seri që u ndërpre pikërisht në Austin

Ferrari nëpërmjet Matia Binotos iu përgjigj menjëherë akuzave të Vershtapenit, edhe ky foli për median holandeze

‘Lexova shumë komente gjatë kësaj fundjave  dhe ato pas garës-tha Binoto-disa deklarata më duken shumë zhgënjyese. Janë krejtësisht të gabuara dhe nuk I bëjnë mirë këtij sporti. Direktiva e FIA? Është dicka e mirë që na u bë një sqarim, por nuk ka pasur asnjë impakt në paraqitjen tonë në garë. Në të kaluarën të tjera skuadra kishin avantazhe teknike, por ne nuk treguam gishtin ndaj tyre. Nëse kemi një avantazh në njësinë e fuqisë, është sepse kemi punuar shumë. Do të ishte më korrekte që disa komente të mos bëheshin’.

Sfidanti.al