Plej ofi i Euroligës, fitojnë Reali, Efesi, CSKA dhe Fenerbahçe

Serinë e fitoreve vendase e mbylli Reali i Madridit, edhe pse e pati shumë të vështirë ndaj Panathinaikosit. Vendasit kryesuan në dy periodat e para, duke arritur në pushim të ndeshjes me rezultatin 43-35. Grekët nuk u dorëzuan dhe në periodën e katërt barazuan 64-64 për të kaluar në epërsi, në 72-66. Në fund, Reali gjeti forca dhe fitoi ndeshjen 75-72, falë gjuajtjeve të lira të Kampasos, Xhejsi Kerrolit e sërish Kampasos.

Valter Tavarez (Bregu i Fildishtë) realizoi 8 pikë, kapi 8 topa në tabela dhe shërbeu 2 asistë, duke luajtur shumë mirë në sulm e në mbrojtje. Jo më kot, ai është një gjigand prej 2.21 metrash, duke iu afruar për shtatlartësi (edhe pse jo për klas), të jashtëzakonshmit Arvidas Sabonis që fitoi Euroligën me Realin.

Fakundo Kampaso (Argjentinë) ishte lojtari tjetër vendimtar i mbrëmjes për madrilenët. Ai shënoi 8 pikë, kapi 4 topa në tabela, shërbeu 6 asistë dhe vodhi 3 topa. Shënuesi më i mirë ishte amerikani Xhefri Tejlër me 13 pikë, ndjekur nga francezi Fabien Kosër me 12. Nuk shkëlqyen edhe aq spanjollët Rejes dhe Fernandez, po asht as meksikani Ajon, ndërsa Sergio Jul mungoi për dëmtim.

Grekët patën 17 pikë nga Nik Kalathes, por që gaboi shumë për 3 pikë. Amerikani Deshoun Tomas shënoi 12 pikë, greku tjetër Jan Vujukas shtoi 10, ndërsa u dalluan edhe Langford, Papapetru dhe lituanezi Lekavicius.

Më herët, Anadolu Efes mundi Barcelonën në Stamboll, 75-68. Më i miri për turqit ishte serbi Vasilije Miçiç me 21 pikë dhe 7 asistë, ndërsa për katalanasit shkëlqeu kroati Ante Tomiç me 12 pikë. Një ditë më parë, pati dy fitore të thella. Fenerbahçe mundi Zhalgirisin në Stamboll 76-43, ndërsa CSKA e Moskës mposhti në Rusi, spanjollët e Baskonias së Vitorias 94-68. Në fazën finale kualifikohen skuadrat që fitojnë të parat 3 ndeshje.

Sfidanti.al