Përse në majë të Kupës së Uimbëlldonit ndodhet një ananas?

Turneu prestigjioz i Uimbëlldonit po hyn në fazën përfundimtare dhe, tani, me të drejtë, po flitet shumë lidhur me atë se kush do ta ngrejë lart kupën e tij, ndërsa, me këtë rast, tregohen edhe histori që kanë lidhje me këtë turne e kupë të çmuar. Pyetja e parë që bëhet, është se ç’do fruti i ananasit në majë të kupës? Uimbëlldoni ka një traditë 130-vjeçare. Turneu i parë është zhvilluar në vitin e largët 1887, kështu që ky turne prestigjioz konsiderohet si “qershia mbi tortë”, kur kihen parasysh edhe turnetë e tjerë Grand Slam. Por, puna është se kupa e tij nuk ka qershi, por një ananas në majë të saj?

Dhe një gjë e tillë ka domëthënien e vet, sepse, në shek. e 17-të deri në shek. e 19-të, në Britaninë viktoriane, ky frut ishte një produkt shumë i çmuar, shumë më tepër sesa sot, për më tepër që në Angli nuk kishte fruta ekzotikë të tillë. Ananasi, atëkohë, por kush mund të thotë se jo edhe sot, konsiderohej si simbol i pasurisë dhe ai shërbehej vetëm në tryezat e pasanikëve të mëdhenj e të të fuqishmëve të asaj kohe. Si një simbol i pasurisë dhe i  fuqisë, ananasi, atëkohë, nisi të shfaqej si një motiv në veprat e shumë piktorëve e skulptorëve në shumë vende të Evropës. Kështu që edhe organizatorët e Uimbëlldonit, me qëllim për të theksuar rëndësinë dhe vlerën e kupës së këtij turneu, vendosën që në majë të saj të vendosnin këtë frut të çmuar.

Sfidanti.al