Përse Miluoki është më i miri në NBA? Fiton edhe pa Antetokumbon!

Nuk mundi të ishte pranë shokëve këtë herë, sepse pati një arsye të rëndësishme. Janis Antetokumbo u bë për herë të parë baba, i lindi djali të cilit ia kanë vënë emrin Lajëm (Liam), ndaj edhe Miluoki u detyrua të luante pa të. Pavarësisht se mungesa ishte e madhe, sërish skuadra numër 1 e NBA-së këtë sezon ia doli mbanë duke arritur një tjetër fitore. Sakramento u mund 123-111, e padyshim ndihmuan gati 20 000 tifozët në Arenë.

Ndihmuan sidomos lojtarët e tjerë, që të gjithë e dimë se janë të rëndësishëm, por që e treguan këtë sërish. Kris Midëllton, i piketuar për në skuadrën olimpike amerikane për në Tokio, shënoi 28 pikë, kapi 11 topa në tabela e shërbeu 8 asistë. Erik Bledsou shtoi 28 pikë, 8 topa në tabela e 8 asistë, ndërsa Bruk Lopez shënoi 20 pikë, Braun pati 11, DiVincenso e Metjus nga 10 pikë “për kokë”. Plot 9 basketbollistë shënuan për vendasit. Ja pra, pse Miluoki është skuadra më e mirë e basketbollit amerikan këtë vit, ajo arrin të fitojë edhe pa liderin e saj, ndërsa ka bilancin 46 fitore e 7 humbje, 5 humbje më pak se rivali më i afërt, Los Anxhelos Lejkërsi.

Sfidanti.al