I pakënaqur me Meklarenin; Alonso dëshiron një skuadër fituese

Fernando Alonso e ka humbur durimin me Meklarenin. piloti spanjoll duket se po kërkon vërtet një skuadër të re dhe fituese edhe pse në këtë fillim sezoni të Formula 1 ka pasur rezultate shumë më të kënaqshme me atë aktuale nën krahasim me vitet e kaluara. Për këtë arsye agjenti i tij Flavio Briatore ka fluturuar drejt Bakut për të hyrë menjëherë në kontakte me drejtuesit e ekipeve që po diktojnë në këtë kampionat, Mercedes, Ferrari e Red Bull. Të treja këto skuadra kanë të paktën nga 1 pilot që është në përfundim të kontratës dhe Briatore do të kërkojë që të shfrytëzojë këtë mundësi.

Te Mercedes, as Hamilton e as Botas nuk kanë rinovuar kontratat e tyre edhe pse është folur shumë për këtë në media. Te Ferrari pritet të merret një vendim për të ardhmen e Raikonen, ndërsa te Red Bull dyshimet janë për australianin Daniel Riçardo.

Edhe pse opsionet nuk mungojnë, do të jetë e vështirë për një pilot që të pranojë të kalojë te këto skuadra me statusin e pilotit të dytë. Megjithatë në Formula 1 cfarë nuk ndodh dhe Alonso tashmë 36 vjec  me siguri që 2019 do ta ketë vitin e tij të fundit në Formula 1.

sfidanti.al