Nga Lebron tek Uestbruk, lufta për yllin numër 1 të NBA-së!

Tri javët e mëparshme Rasëll Uestbruk kishte qenë i paprekshëm. Pa diskutim, lojtari më i mirë i NBA-së në atë periudhë, dhe besohet edhe lojtari më i mirë i sezonit deri tani. Veçse, këtë javë dueli ishte më i fortë pasi shpërtheu fort edhe Xhejms Harden. Lideri i Hjustonit madje u shpall si lojtari më i mirë i javës sipas sistemit të votimit të NBA-së. Ai pati mesatare 27 pikë për ndeshje në 4 takime, 12.8 asistë dhe 9.8 topa në tabela, thuajse “tripëll dabëll”. Për më tepër, Hjustoni ka 10 fitore radhazi, seria më e mirë e sezonit. Uestbruk shënoi vërtet 46 pikë në humbjen e Oklahomës ndaj Atlantës, dhe pati një ndeshje perfekte në fitoren ndaj Feniksit (26 pikë, 22 asiste, 11 topa në tabela në vetëm 34 minuta), por nuk ishte aq i qendrueshëm gjatë gjithë javës. Gjithsesi, ai ka 13 “tripëll dabëlla” këtë sezon dhe 50 në karrierë. Lojtarët e tjerë që pretendojnë të jenë numri 1 i NBA-së janë Kevin Durant i Golden Stejtit, Lebron Xhejms i Klivlendit dhe Kouhi Leonard i San Antonios.