Nga dopingu drejt titullit, Serena i hap rrugën “shemrës” Sharapova

Historitë më të bukura janë ato me më shumë kontrast. Nuk dihet nëse kontrasti do të jetë i plotë, por deri tani është tepër i fortë tek “marshimi” i Maria Sharapovës në Paris. Bukuroshja më e madhe e sotme në tenisin botëror, synon të fitojë Grand Slemin në qytetin e cilësuar si më të bukurin e botës, kryeqendrën e Francës.

Rusja pati fat në pengesën më të vështirë, apo atë që mendohej si e tillë, me emrin Serena Uilliams, pasi amerikania e famshme u tërhoq për shkak dëmtimi. Emri Serena do të thotë dështim për Mashën, që nuk e ka mundur kampionen që nga viti 2004, veçse këtë herë “ia hodhi paq”.

Gjithsesi, ajo mund të quhet një sportiste dhe një njeri i lumtur. Në janar 2016 doli pozitive për doping në Australian Open dhe u dënua për të mos luajtur deri në 12 mars 2017, duke u rikthyer në tenis në prill. Tashmë, këto fatkeqësi duket se i përkasin së kaluarës.

Tashmë, “Pova” është në çerekfinale ku do të ketë një tjetër provë të vështirë, spanjollen Garbinë Muguruza, një nga tenistet më të mira të botës (numri 3 në rruzull), kampione në fuqi e Uimbëlldonit. Në turet e mëparshme në “Rolan Garos”, 31-vjeçarja ka eleminuar holandezen Hogenkamp, kroaten Vekiç dhe çeken Plishkova. Ajo ka fituar pesë turne Grand Slem, nga të cilat dy “Rolan Garos” në 2012 e 2014.

Sfidanti.al