Ndershmëria e Nurmagomedovit: Ndaj Mejuedhërit është veç “ndeshje për lekë”!

Mund të ndodhë, dhe ai vetë e ka pranuar se kjo mund të bëhet, ndonëse nuk ka asnjë iluzion se çfarë produkti do të jetë. Habib Nurmagomedov, “mbreti” i momentit i peshave të lehta të arteve të përziera marciale (MMA) gjykon se një duel i tij me ish-kampionin e boksit, Flojd Mejuedhër Xhunior, do të ishte vetëm një ndeshje e zhvilluar për para. “Mejuedhëri është vetëm një ndeshje lekësh, – tha luftëtari nga Dagestani për mediat amerikane, – vlen vetëm për të bërë para, por ata (sauditët) duan me patjetër që unë të ndeshem me të”. Besohet se sauditët i paguan dagestanasit 2 milionë USD vetëm që ai të shkonte atje për të ndjekur ndeshjen e boksit, Entoni Xhoshua-Andi Ruiz II. Nurmagomedovi ishte shprehur më parë se do të ndeshej me Mejuedhërin vetëm nëse do të ishin 11 raunde boksi dhe 1 raund MMA. Besohet se atij do t’i ofrohen 100 milionë USD, por amerikani 43-vjeçar ka theksuar se do kthehej në ring vetëm nëse do t’i jepeshin 600 milionë USD.

Sfidanti.al