NBA, Lebroni shpëton Klivlendin ndaj Bostonit (për momentin)!

Reagimi ishte ai që pritej dhe fitorja e madhe. Klivlend Kavaliers nuk mund të mos e tregonte anën e tij të fortë, të paktën në njërën nga ndeshjet finale të Konferencës Lindore, aq më shumë i vënë me shpatulla pas murit.

Lebron Xhejms ishte sërish i madh, edhe pse nuk pati nevojë të tregohej madhështor, dhe Boston Sëlltiksi u mund thellë, 86-116 në Arenën e Klivlendit. Nënkampionët e NBA-së tani janë në humbje në këtë seri vetëm me shifrat 1-2 dhe ndeshja e katërt do të luhet duke u gdhirë e marta, sërish në Klivlend.

Lebron shënoi 27 pikë e dha 12 asistë (kapi 5 topa në tabela, bllokoi 2 gjuajtje, vodhi dy topa), por edhe “Kalorësit” e tjerë më në fund iu përgjigjën ritmit të tij. Kevin Lov pati 13 pikë e 14 topa në tabela, Tompson 10 pikë, Smith 11, Hill 13 dhe Kajl Korver 14 pikë, duke realizuar të 4 gjuajtjet për tri pikë.

Xhejms nuk pati nevojë të shënonte 41, 42 apo 45 pikë siç ka bërë në ndeshjet e kaluara në plej of, disa prej të cilave Kavaliersët i kanë humbur. Nëse ky është versioni i saktë, atëherë skuadra e trajnerit Tajron Lu mbetet pretendente për titullin në NBA.

Po Bostoni, çfarë pati? Terri Rozier e përmblodhi mjaft mirë në fjalët që tha pas ndeshjes. “Ne kishim nevojë për këto shkelma by…, – u shpreh ai, – pasi ishin shumë të vetëkënaqur pas fitores së dy ndeshjeve. Tani duhet të zgjohemi dhe t’i kthehemi punës të hënën (të martën, me orën e Shqipërisë)”.

Sfidanti.al