Modestia madhështore e Lebron Xhejmsit, sa ndryshe nga Ronaldo!

Rekordet e tij janë të mëdhenj. Thuajse askush nuk ka shkëlqyer në NBA sa Lebron Xhejms, pavarësisht nga yjet e shumtë si Rasëll, Çembërlen, Xhabar, Mexhik Xhonson, Lerri Bërd apo Majkëll Xhordan. Ai është i vetmi që ka mbi 30 000 pikë, mbi 8 000 asistë dhe mbi 8 000 topa në tabela në të gjitha kohët, i vetmi në histori që ka mesatare 27 pikë për ndeshje, 7 asistë për ndeshje, 7 topa në tabela për ndeshje, numri 1 për shënimin e më shumë se 10 pikëve në ndeshje radhazi (867), numri 1 për pikët e shënuara në Ndeshjen e Yjeve (343), ende i 7-ti për pikët e shënuara në karrierë, por mund të arrijë pa frikë i treti apo edhe i dyti.

Edhe kur vjen puna për vlerësimet, Lebron është diku më lart dhe diku më poshtë se Majkëll Xhordan, ndërsa mbetet prapa vetëm me titujt e fituar (3), ndaj 6 të Xhordanit dhe 11 të Bill Rasëllit. Gjithsesi, Lebron Xhejms është modest kur flet për veten, e kundërta e Kristiano Ronaldos. Kur i thanë se mund të jetë më i madh se Xhordani, ai u përgjigj se “Xhordani mbetet numri 1”. Në të kundërt, Kristiano disa herë ka thënë se “në historinë e futbollit nuk ka pasur dhe nuk do të ketë një si unë, unë jam më i miri dhe e thonë statistikat”. Një diferencë kolosale mes një kampioni të sportit dhe një kampioni si sportist dhe si njeri!

Sfidanti.al