Miluoki gjen “shpirtin fitues”, Antetokumbo e udhëheq ndaj Orlandos!

Kryeson serinë 2-1 dhe duket se e ka vënë gjithçka në rrugën e duhur, ndonëse do t’i duhen edhe dy fitore të tjera përpara sesa të thotë “ia dola”. Miluoki Baks respektroi parashikimet për të dytën herë radhazi, duke fituar bindshëm ndaj Orlando Mexhikut, 121-107, dhe suksesi nuk erdhi vetëm nga Janis Antetokumbo, ndonëse ai ishte më i miri në parket. Kapiteni shënoi 35 pikë dhe iu afrua një tripëll dabëlli me 11 topa në tabela e 7 asistë (plus 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje), por krah tij ishte “banda” e zakonshme e sezonit. Kris Midëllton më në fund gjeti formën me 17 pikë, 8 topa në tabela e 6 asistë, Bruk Lopez shtoi 16 pikë e 6 topa në tabela dhe Erik Bledsou realizoi 14 pikë, pati 5 topa në tabela, 8 asistë dhe 3 vjedhje topi. Miluoki kryesoi në pushim 70-43, dhe Antetokumbo luajti vetëm 30 minuta nga 48 gjithsej. Tek Orlando “shpëtuan” vetëm malazezi Vuçeviç me 20 pikë e 5 topa në tabela (2 asistë, 2 vjedhje topi), Dixhej Ogustin me 24 pikë e 6 asistë, si dhe Terrens Ros me 20 pikë.

Sfidanti.al