Mejuedhër paralajmëron Mekgregorin: Këtë film e kam parë edhe më përpara!

Flojd Mejuedhër ka lëshuar mesazhe “mikse” për ndeshjen e 26 gushtit ndaj Konor Mekgregorit. Ndryshe nga irlandezi që është shprehur gjithnjë me besim, amerikani ka theksuar se Mekgregor do të jetë një rival i fortë, se e respekton si kundërshtar, dhe se në favor të rivalit është mosha. “Unë jam mbi 40 vjeç, ai në të 20-at, ndaj unë e kam humbur pak shpejtësinë dhe refleksin”, – ka thënë boksieri i pathyer, por i tërhequr dy herë. Gjithsesi, përballë deklaratave luftarake dhe shpotitëse të Mekgregorit (ka thënë se do të fitojë në 4 raunde), Mejuedhër nuk mund të duronte më. “Unë kam qenë më përpara në një situatë të tillë dhe e di se çfarë duhet të bëj për të fituar, – theksoi ai, – të gjithë thonë se kanë besim, por nuk është e njëjta gjë kur je përballë Flojd Mejuedhërit në ring. Për mua, kjo është një ditë pune si gjithë të tjerat, dhe kjo mënyrë e të menduarit më ka ndihmuar që të mos humbas asnjëherë”.

Sfidanti.al