Mark Markez, “kanibali” që kërkon rekordet e Valentino Rosit!

Nuk ka mbushur ende 25 vjeç, por historinë po e bën. Mark Markez është padyshim nga “soji” i legjendave, ashtu si vetë Valentino Rosi, rekordet e të cilit kërkon t’i thyejë. Në një karrierë të denjë për t’u krahasuar me më të mirët, si Rosi, Agostini apo Duhan, spanjolli e kaloi “Doktorin” si piloti më i ri i garave me motora që arrin në 60 fitore. Rekordin e parë e kishte Rosi në vitin 2004, kur ishte 25 vjeç e 62 ditë, ndërsa Markez e theu në Aragon të dielën e kaluar, në moshën 24 vjeç e 219 ditë.

Po ashtu, Markez e ka kaluar Rosin në numrin e fitoreve me Hondën me 34 fitore ndaj 33 të Vales, duke qenë në vend të dytë pas Duhanit me 54. Për më tepër, spanjolli u bë këtë vit piloti me më shumë “pole position” në histori (që kur nisën të numëroheshin) me 71 të tilla, ndonëse është prapa Rosit në fitore (60-115), xhiro të shpejta (53-95) apo podiume (99-226). Përsa i përket titujve, Rosi është 7 herë kampion në Moto GP dhe 9 herë kampion i botës, ndërsa Markez ka 3 tituj në Moto GP dhe 5 tituj botëror në përgjithësi.

Sfidanti.al