Majkëll Xhordan: Uestbruk e Harden? Më vështirë të fitosh 6 tituj

Sallën e konferencës për shtyp e mbuluan të qeshurat, dhe kjo ishte e natyrshme. Majkëll Xhordan sapo i ishte përgjigjur pyetjes se cila arritje ishte më e vështirë, 10 ndeshje radhazi me tripëll dabëll si Rasëll Uesbruku, apo 30 ndeshje radhazi me të paktën 30 pikë të shënuara, si Xhejms Hardeni?

“Më e vështirë, nënkuptohet, që është të fitosh 6 tituj kampion në NBA”, – ishte përgjigja e ish-superyllit të Çikagos, sot pronar i klubit të basketbollit Sharlotë Hornets. Xhordani nuk vazhdoi shumë gjatë, por ai e nënkupton që mbetet basketbollisti më i mirë në histori, duke nxitur edhe më tej debatin pas fjalëve të Lebron Xhejmsit.

Xhordani u bë sportisti i parë që arriti të fitonte 1 miliardë dollarë në karrierë, mbetet lojtari me mesataren më të mirë të shënimit të NBA (mbi 30.1 pikë për ndeshje). Ai luajti 15 sezone në NBA, duke fituar 6 tituj, e duke fituar të gjashtë finalet në të cilat mori pjesë. Për dy vjet, ai u largua nga basketbolli për të provuar veten në bejsboll (1993-1995).

Në vitin 2001 ai u kthye sërish për t’ia dhuruar pagën e tij familjeve të viktimave të sulmeve të 11 shtatorit. Në 21 shkurt 2003, Xhordani u bë i vetmi basketbollist 40-vjeçar NBA që shënoi më shumë se 40 pikë (43). Në biografinë e tij në faqen zyrtare të NBA-së shkruhet: “Është një mendim i përgjithshëm, që Majkëll Xhordan është basketbollisti më i madh i të gjitha kohëve”!

Sfidanti.al