Luiza Gega, një vend i 9-të historik në Botërorin e atletikës!

Misioni u mbyll me sukses, edhe pse nuk pati medalje. Është tepër e vështirë që një atlete shqiptare të jetë në podium në një garë të Botërorit të atletikës, dhe për Luiza Gegën vendi i 9-të është sikur të ishte i treti. Më e mira e femrave për Shqipërinë realizoi fillimisht atë që nuk e kishte bërë kush, u kualifikua për në një finale të Botërorit, dhe më pas arriti të bënte një paraqitje dinjitoze, në krah të atleteve më të mira të rruzullit në 3 000 metra me pengesa. Koha e 30-vjeçares ishte shumë e mirë, 9’19”93, pra një rekord kombëtar. Rekordi i mëparshëm ishte vendosur në 2017 në Oslo, me kohën 9’26”05, pra kemi të bëjmë me një përmirësim prej më shumë se 6 sekondash, diçka e rrallë edhe për gara të tilla të gjata.

Kampione e botës doli pikërisht favoritja, keniania Beatris Çepkoeç që përfundoi 3 kilometrat me pengesa me 8’57”84, duke lënë pas amerikanen Kobërn dhe gjermanen Krauze. Një garë e fortë në stadiumin “Halifa” të kryeqytetit të Katarit, Doha, ku Çepkoeç vendosi rekordin, me kohën më të shpejtë në një Botëror.

Sfidanti.al