Lilardi magjik i jep fitoren Portlendit, e kualifikon në plej-in në NBA!

Nuk shënoi 50 apo 60 pikë, por sërish realizoi shumë, dhe për më tepër, ishte kontribuesi kryesor në një fitore-kyçe. Damien Lilard triumfoi në duelin personal me yllin e Bruklinit, Levert, dhe Portlendi ia doli me fitoren më të ngushtë të mundshme, 134-133, për të siguruar vendin e 8-të në Konferencën Perëndimore, si dhe vendin në fazën plej in në NBA. Skuadra nga Oregoni do të luajë ndaj Memfisit, për të marrë pjesë në plej of, dhe në rast suksesi do të ndeshet që në raundin e parë më Lejkërsat e Lebron Xhejmsit.

Lilardi shënoi 42 pikë ndaj Bruklinit, duke kapur 3 topa në tabela, shërbyer 12 asistë dhe vjedhur dy topa. Topi i dytë i vjedhur ishte vendimtar, pasi ia mori Levertit kur kishte mbetur 1 minutë lojë, dhe Mekkallëm shënoi koshin për +4 për Portlendin. Lilard ka qenë lojtari më i mirë në NBA që prej rifillimit të kampionatit, me mesatare mbi 37 pikë për ndeshje, ndërsa skuadra më e mirë ishte Feniksi, që i fitoi të 8 ndeshjet, por që gjithashtu u eleminua për një ndeshje të vetme.

Sfidanti.al