Leonard është shpresa e vetme e Torontos ndaj Antetokumbos!

Nuk është bërë ndonjë gjë më shumë sesa është fituar një ndeshje. Rezultati është sërish në favor të Miluokit, madje Toronto edhe fitoren e vetme e arriti pas dy kohëve shtesë. Nuk është se skuadra kanadeze mund të ketë shumë shpresë për finalen e NBA-së, por gjithsesi, në radhët e saj është dikush, i vetmi që mund ta ndryshojë fatin e këtij dueli.

Koui Leonard, ylli që Greg Popoviç e kishte përzgjedhur si e ardhmja e San Antonios, tregoi se është i vetmi që mund të bëjë duel sy më sy me yllin kryesor të Miluokit, Janis Antetokumbo. Ky i fundit është favorit për t’u shpallur Lojtari më i mirë i sezonit, një “forcë e natyrës”, dhe Leonardi zgjodhi ta mbulonte personalisht në sfidën e tretë finale të Konferencës Lindore.

Natyrisht, mund të kishte qenë edhe vendim i trajnerit, por sido që të ishte, doli i drejtë. Antetokumbo, i mbrojtur nga shumë afër, shënoi vetëm 12 pikë, duke gabuar shumë në çdo lloj gjuajtjeje, për dy (5-16), për tri pikë (0-3) apo në gjuajtjet e lira (2-7). Natyrisht, ai dha kontribut, me 23 topa në tabela, 7 asistë, 1 vjedhje topi e 4 bllokime gjuajtjesh, por edhe atij iu bllokuan 4 gjuajtje.

Leonardi dha kontribut të madh edhe në sulm, me 36 pikë, 9 topa në tabela, 5 asistë, 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje.

Kuptohet, mbulimi i Antetokumbos nuk ishte vetëm i Leonardit, pasi është e pamundur që të ndalohet ashtu, dhe kjo krijoi hapësira për të tjerët. Mirotiç, Lopez, Bledsou, Midëllton, e sidomos Hill (24 pikë) e Brogdon (20) shënuan shumë dhe mbajtën Miluokin në lojë deri në fund. Triumfi i kanadezëve ishte 118-112, me ndeshjen e katërt që luhet sërish në Toronto.

Sfidanti.al