Lebroni udhëheq Lejkërsat në startin më të mirë jashtë fushe në histori!

Kanë fituar 7 ndeshje e nuk kanë humbur asnjë. Nëse në “Stejpëlls Sentër”, kampionët e NBA-së mund edhe të thyhen, por janë të paprekshëm në udhëtim. Los Anxhelos Lejkërsat kanë bilancin 7-0 jashtë fushe këtë sezon, dhe Lebron Xhejms i ka udhëhequr deri tani në nisjen rekordmene në histori. Kurrë më parë, “Liqenasit” nuk kanë pasur një start të tillë, as kur me ta ishin Uilt Çembërlen, Karim Abdul Xhabari, Mexhik Xhonsoni, Kobi Brajanti e Shakill O’Nilli. Kjo tregon se çfarë basketbollisti është Xhejmsi.

Lebroni shënoi 26 pikë në fitoren 128-99 në fushën e Oklahomës, duke shtuar edhe 6 topa në tabela e 7 asistë. Ai u ndihmua nga Entoni Dejvis me 18 pikë e 7 topa në tabela dhe nga Harrell që realizoi 21 pikë. Lejkërsat kanë bilancin 10-3 këtë sezon, duke qenë për momentin skuadra më e mirë. Lebroni me shokë thyen rekordin që e mbante skuadra e madhe e Mexhik Xhonsonit dhe Xhabarit në sezonin 1985-1986.

Sfidanti.al