Lebroni i përgjigjet Antetokumbos, 38 pikë në fitoren e Lejkërsave!

Pas ndeshjeve të para pati dyshime tek ata, por tashmë e dhanë përgjigjen. Lebron Xhejms dhe Janis Antetokumbo cilësohen jo më kot si dy yjet më të mëdhenj të NBA-së së sotme, dhe kapitenët bënë detyrën duke udhëhequr skuadrat e tyre drejt fitoreve. Kur kanë kaluar tri sfida në raundin e parë të plej ofit, edhe Los Anxhelos Lejkërsat, edhe Miluoki Baks, kryesojnë me rezultatin 2-1.

Lebroni u shfaq në formën e duhur për plej ofin, duke luajtur ndeshjen më të mirë të pas-sezonit të rregullt, me 38 pikë, 12 topa në tabela e 8 asistë, po ashtu edhe me dy vjedhje topi, në fitoren 116-108 ndaj Portlendit. Ai pati 4 gjuajtje të sakta për tri pikë duke kaluar Klej Tompsonin e duke u ngjitur në vendin e tretë të renditjes së kësaj kategorie në plej of, me 375 realizime. Xhejmsi është pranë Rej Allenit të vendit të dytë, ndërsa Stefën Kërri është shumë larg me plot 470.

Entoni Dejvis dha ndihmën e tij me 29 pikë, 11 topa në tabela e 8 asistë, ndërsa Damien Lilard shënoi 34 pikë për Portlendin. Antetokumbo ishte po kaq dominues për Miluokin, në fitoren bindëse ndaj Orlando Mexhikut, 121-107.

Sfidanti.al