Lebron Xhejms, a do të jesh si Xhabari apo Mexhik Xhonsoni tek Lejkërsat?

Ai do të largohet për herë të dytë nga Klivlend Kavaliersët dhe do të shkojë, jo drejt Jugut, por në Perëndim. Lebron Xhejms, ylli më i madh i basketbollit të sotëm e kishte quajtur pak kohë më parë “shtëpinë e tij”, qytetin e Los Anxhelosit, dhe gazetari veteran Piter Veçei (Peter Vecsey) e quan të sigurt kalimin e tij tek Lejkërsat. “Ndihem i sigurt të pohoj pa asnjë lloj dyshimi se mund të gaboj, që Lebron do të largohet nga Klivlendi për të dytën herë dhe do të bashkohet me Lejkërsat”.

Tri herë kampioni i NBA-së flitej se do të shkonte në Kaliforni verën e ardhshme, kur t’i përfundonte kontrata me Kavaliersët, por duket se kjo do të ndodhë këtë edicion. Prej kohësh, “Mbreti” kishte pakënaqësi me klubin, për largimin e menaxherit të përgjithshëm Grifin, apo për mosmarrjen e lojtarëve që duheshin.

Lejkërsat janë skuadra e dytë më e madhe e NBA-së, pas Boston Sëlltiksit, me 16 tituj ndaj 18 të rivalëve të mëdhenj, por nuk e provojnë shijen e suksesit që në 2010. Plani i klubit është të marrë Xhejmsin dhe ndonjë yll tjetër (ndoshta Pol Xhorxhin apo Duejn Uejdin), si dhe të formojnë një ekip të fortë me lojtarë të rinj që janë aktualisht aty, si Boll, Kuzma, Klarkson, Ingram, Nens Xhunior apo Rendëll.

Sfidanti.al