Lebron paralajmëron NBA-në, me Klivlendin më të talentuar në histori!

U bë shumë e rrezikshme, por përfundoi shumë mirë. Klivlendi u duk se po e fitonte lehtë përballjen në fushën e Atlantës, pastaj thuajse u mund, ndërsa në mbyllje kuptoi se mbrëmja kishte qenë historike. Kampionët në fuqi vendosën një rekord të ri të NBA-së për koshat me vlerë tripikëshe, duke realizuar plot 25 gjuajtje të tilla. Rekordi i mëparshëm i basketbollit amerikan ishte 24 kosha, vendosur nga Hjustoni dhjetorin e kaluar.

Dy lojtarët më të mirë ishin ata që udhëhoqën skuadrën. Kajri Irving shënoi 43 pikë, duke shtuar 9 topa në tabela, ndërsa Xhejms pati, si shpesh herë, një ndeshje të kompletuar. Lebron realizoi 38 pikë, kapi 8 topa në tabela dhe shërbeu 13 asistë. Xhejms pati 6 gjuajtje të sakta për tri pikë, Irving 5, Uilliams, Xheferson, Korver dhe Fraj realizua nga tre, ndërsa Shampert shtoi dy të tjera.

Pavarësisht nga kjo paraqitje, dhe pavarësisht avantazhin të thellë për pjesën më të madhe të ndeshjes, sërish Klivlendi u rrezikua. Atlanta nuk u dorëzua, udhëhequr nga Tim Hardëuej Xhunior që shënoi 36 pikë, duke u afruar në vetëm 1 pikë largësi, 123-124. U desh gjuajtja nga largësia e Korverit, dhe pastaj aksioni i Irvingut, që fitorja të mos u ikte nga duart kampionëve.

Sfidanti.al