Las Vegasi – favorit për ndeshjen Xhoshua – Kliçko 2

Las Vegasi është favoriti kryesor për organizimin dhe zhvillimin e ndeshjes revansh, pra asaj të dytë, mes kampionit aktual të botës të peshës së rëndë në tre versione të boksit profesionist, britanikut Entoni Xhoshua, dhe ish-kampionit të botës ukrainasit Vladimir Kliçko. Këtë lajm e bëri të ditur promotori i boksierit britanik, Edi Hern, sipas të cilit, opsionet e tjerë janë edhe Dubai, Kardifi dhe Lagosi.

“Bisedova me Bernd Bonten dhe njerëzit e Kliçkos. Jemi shumë afër zgjedhjes së versonit përfundimtar. Ka një numër vendesh, ku mund të zhvillohet ndeshja, por përparësi të lehtë ka Las Vegasi. Javën tjetër, ne do t’ia paraqesim të gjithë variantet Vladimirit. Unë doja që ndeshja të zhvillohej në Britaninë e Madhe, por Xhoshua është kampion i botës dhe jo i Britanisë së Madhe dhe ai synon që të arrijë të kalojë kufij të rinj”, tha Ed Herni.

Sfidanti.al