Lamelo Boll është historia e re e suksesit në basketbollin amerikan!

Një “rrymë e freskët ajri” që ndihet shumë, edhe pse nuk fryu në një “dhomë me ajër të ndenjur”. NBA, liga më e fortë e basketbollit në botë, kaq shumë yje të mëdhenj e të rinj, por gjithsesi ishte një lajm i shkëlqyer ajo që bëri Lamelo Ball (LaMelo Ball). Në moshën 19-vjeçare ai u bë më i riu në historinë e kampionatit të koshit që arrin një tripëll dabëll. Vellai i vogël i Lonzo Bollit (ish-lojtar i Lejkërsave) e bëri këtë në ndeshjen Sharlotës ndaj Atlantës.

Lamelo shënoi 22 pikë, kapi 12 topa në tabela e shërbeu 11 asistë në fitoren e ekipit të tij me shifrat 113-105. Ai theu rekordin që e mbante Markel Fulc (Markelle Fultz) me 177 ditë, aspak gjë e vogël, ndërsa ishte në moshën 19 vjeç e 140 ditë. Ndër yjet më të rinj që kanë arritur tripëll dabëll në NBA janë Luka Donçiç (19 vjeç, 327 ditë), Lebron Xhejms (20 vjeç, 20 ditë) dhe Mexhik Xhonson (20 vjeç, 75 ditë).

“Unë jetoj jetën time dhe e di se ç’jam në gjendje të bëj, – foli debutuesi pa shumë modesti, – një arritje e tillë nuk më emocionon edhe aq. Unë e di se kjo ishte diçka që quhej normale që të ndodhte”. Boll është një “lloj Lebroni” në moshë të re, pasi ka shtatlartësinë 2.03 metra, gjë që i jep mundësi të shënojë, të kapë topa në tabela dhe të japë asistë. Klubi i tij, Sharlot Hornets, shkruajti në faqen zyrtare në Tuiter: “Quajeni Zoti Tripëll Dabëll!”

Sfidanti.al