Kur quhesh Zhalgiris, edhe mund ta mposhtësh Realin e madh!

Ishte janari i vitit 1986 dhe “Mbreti i basketbollit”, Madridi, zbuloi qytetin e Kaunasit në Lituaninë sovjetike të asaj kohe, si dhe një skuadër e një lojtar të jashtëzakonshëm. Reali u mposht në fushën e Zhalgirisit, 87-95, në ndeshjen e Kupës së Kampionëve, dhe Arvidas Sabonis tregoi gjithë klasin e tij të denjë për elitën e NBA-së. Kanë kaluar 33 vjet, dhe Reali sërish nuk e kaloi dot pengesën lituaneze, duke u mundur nga një Zhalgiris sërish i fortë, edhe pse shumë më pak se atëherë, dhe me shumicën e yjeve lituanezë që luajnë në NBA apo në klube të tjerë të Europës.

Zhalgirisi fitoi 86-73 udhëhequr nga amerikani Zak Lidej, me 25-vjeçarin që shënoi 26 pikë, kapi 9 topa në tabela, dhe u vlerësua me notën e shkëlqyer 35. Amerikani tjetër, Najxhël Hajes shënoi 15 pikë, dhe lituanezi Marius Grigonis shtoi 13. Reali nuk i pati yjet e tij në formë të madhe, dhe vetëm amerikani Entoni Randolf tregoi veten në lartësinë e detyrës. Kjo ishte humbja e parë madrilene këtë sezon, edhe pse në përbërje pati yje si Fakundo Kampaso, Entoni Randolf, Valter Tavares, Sergio Jul, Felipe Rejes apo Rudi Fernandez. Pas tri javëve të para, CSKA e Moskës, kampione e Euroligës, kryeson me 3 fitore, ndërsa Reali ka 2 fitore e një humbje.

Sfidanti.al